Ziflo Gjonca denoncon në emisionin “Stop” mungesën e antiviralit për Hepatitin C, konkretisht ilaçin “Epclusa”, që është në listën e barnave të rimbursueshme. Ai thotë, se nëna e tij vuan nga kjo sëmundje dhe po përballet me vështirësi serioze për sigurimin e trajtimit. Sipas tij, pamundësia për ta gjetur ilaçin me rimbursim, po e rëndon gjendjen shëndetësore të saj, ndërsa blerja në mënyrë private është e papërballueshme financiarisht.“Stop” u interesua pranë Qendrës Spitalore Universitare, ku një mjeke konfirmoi mungesën e ilaçit, duke deklaruar, se kompanitë farmaceutike aktualisht nuk po e furnizojnë tregun. Sipas saj, për momentin asnjë nga kompanitë nuk e ka futur këtë medikament.Në farmacitë private, trajtimi i plotë me 3 kuti Epclusa, kushton rreth 21 milionë lekë të vjetra. Farmacistët shpjegojnë, se për shkak të vlerës së lartë, zakonisht ky medikament merret përmes skemës së rimbursimit.Ndërkohë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor deklaron, se ilaçi nuk është në mungesë.



