Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në podkastin “FLASIM” ka folur për kërkesën e Prokurorisë në Hagë për të dënuar me 45 vite burg të 4 ish-krerëve të UÇK-ës. Rama e ka cilësuar si çmenduari këtë kërkesë dhe si një bombë e hedhur mbi popullin dhe Kosovën
“Prokuroria e Hagës kërkoi 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe për secilin prej tre udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. M’u desh dhe më duhet sinqerisht, më duhet kohë të kuptoj se si mund të përballet një gjë e tillë, një çmenduri e tillë, një paturpësi e tillë, një mizori e tillë.
Kërkesa për 45 vite burg për të katër figurat domethënëse të Luftës Çlirimtare, ishte një bombë e hedhur mbi popullin dhe mbi Republikën e Kosovës. Një prokurori krejt e padenjë, e cila për të marrë në shqyrtim historinë e përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës bëri gjashtë vite hetim dhe doli me pretendimin se gjatë viteve ‘98-99, qenkan kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftës ndaj civilëve.
Por nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar, që lejon dënime mbi pretendime të tilla dhe pa asnjë provë të qartë se ekziston një plan dhe një forcë e organizuar për të sulmuar dhe për t’u marrë jetën civilëve si të tillë, pse janë civilë’, u shpreh Rama.



