Mbahet mbledhja e parë e shoqatës “Media dhe Drejtësi”, konstatohen raste të rënda të sistemit gjyqësor dhe gazetarisë

Sot u mbajt mbledhja e parë e shoqatës “Media dhe Drejtësi”, ku pas prezantimit të anëtarëve, kryetarit dhe zëvendëskryetarit, u paraqit edhe misioni dhe objektivat kryesore të saj.
Shoqata “Media dhe Drejtësi” ka për qëllim mbrojtjen e interesave të gazetarëve dhe avokatëve, mbrojtjen e interesit publik si dhe garantimin e të drejtave dhe interesave të qytetarëve, duke promovuar transparencën, drejtësinë dhe pavarësinë e medias dhe sistemit ligjor dhe trajtim jo diskriminues për avokatët.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani përfaqëson një dështim të pastër të reformës në drejtësi, duke argumentuar se institucioni që ai drejton nuk ka përmbushur misionin për të garantuar llogaridhënie dhe standarde të njëjta në sistemin gjyqësor.

Ata pretendojnë se në disa raste të denoncuara publikisht ka pasur mosveprim, zvarritje procedurash dhe mungesë transparence në trajtimin e ankesave.

Sipas tyre, kjo situatë ka cenuar besimin e publikut tek reforma dhe tek mekanizmat e kontrollit të brendshëm të drejtësisë.
Në këtë kuadër, shoqata bëri të ditur se shumë shpejt pritet të depozitohet edhe një kallëzim penal për mosveprim, duke theksuar se synimi i tyre është vendosja e përgjegjësisë institucionale dhe rikthimi i funksionalitetit të plotë të mekanizmave të mbikëqyrjes në sistemin e drejtësisë.

Gjatë mbledhjes u propozuan dhe u miratuan disa vendime të rëndësishme. Vendimi i parë ishte nisja e procedurave dhe përgatitja e ankesave dhe kërkesave për shkarkimin e Artur Metani në krye të Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Anëtarët diskutuan raste konkrete që, sipas tyre, dëshmojnë mosfunksionimin e këtij institucioni.
Në diskutim u hodhën gjithashtu propozime për ndryshime ligjore në Kodin e Procedurës Penale, në lidhje me profesionin e gazetarit.

Sipas pjesëmarrësve, gazetari nuk duhet të ketë detyrimin për të dhënë informacion që cenon burimet e tij dhe duhet të garantohet mosndërhyrja e pushtetit gjyqësor në ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte nevoja për ndryshime në ligjin për median, veçanërisht në lidhje me tatimin prej 20% TVSH. U hodhën ide për të rekomanduar heqjen ose lehtësimin e taksave për median, me argumentin se kjo do të ndihmonte në forcimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së saj.
Gjithashtu, u diskutua nisja e kërkesave zyrtare drejtuar institucioneve gjyqësore lidhur me mënyrën e aksesit të prokurorëve në raport me avokatët, duke ngritur shqetësime për standarde të dyfishta dhe për mënyrën e vendimmarrjes në sistemin e drejtësisë.

Mbledhja, e cila zgjati më shumë se dy orë, trajtoi raste të rënda që lidhen me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe sfidat e gazetarisë. Shoqata bëri të ditur se në vijim do të ndërmerren hapa konkretë dhe do të merren vendime të tjera në funksion të misionit të saj.

Të Fundit