Kryeministri Edi Rama, ka folur për mediat pas një takimi të zhvilluar në Bashkinë e Durrësit, ku diskutoi për rreth dy orë e gjysmë me përfaqësues të familjeve të qytetit lidhur me projektet urbanistike dhe çështjet e pronave.
Rama e cilësoi bisedën konstruktive, ndërsa theksoi se projekti do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve, duke paralajmëruar se do të ketë prishje, por edhe verifikime për objektet që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore.
“Me 34 qytetarë të Durrësit përfaqësues të familjeve kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë qytetarët apo qytetin por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari, krijojnë situata që janë qesharake e që tregojnë ku është katandisur ajo farë partie. Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet të një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohës”, tha kryeministri Rama.



