Taulant Balla: Kuvendi i Shqipërisë të hartojë një deklaratë të përbashkët në mbështetje të UÇK që të dërgohet në Gjykatën e Hagës
Pas tensioneve në Kuvend, ku deputetët e PD kanë bllokuar foltoren pasi kreu i Kuvendit Niko Peleshi i ndërpreu fjalën Sali Berishës për gjuhën e përdorur, fjalën e ka marrë kreu i grupit të PS Taulant Balla.
Në fjalën e tij, Balla i ka kërkuar demokratëve që të distancohen nga protestat të cilat sjellin akte dhune.
“PD duhet të disktancohet nga këto akte dhune, Kuvendi me urgjencë duhet të shprehet në mbrojtje të punonjësve të Policisë së Shtetit, t’u urojmë shërim të shpejtë. Policia ka derdhur gjak dhe ka vënë në rrezik jetën e tyre në këto raste”, tha ai.
Më tej, Taulant Balla ka përmendur gjyqin që po mbahet në Hagë dhe shtron një kërkesë për procedurë që të hartohet një deklaratë e përbashkët në mbështetje të UÇK që të dërgohet në Gjykatën e Hagës.
“Jemi në një seancë pak ditë nga një akt akuzë e turpshme në ngarkim të 4 udhëheqësve të UÇK-së. 180 vjet burg janë kërkuar ndaj tyre, për asnjërin nga personat e marrë përgjegjës nuk ka ndodhur diçka e tillë.
Kërkesa për procedurë është që Kuvendi i Shqipërisë të ndërpresë punimet menjëherë, të ngarkojmë Hasanin dhe Shehun në Komisionin e Politikës së Jashtme, të përgatisim një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë për ti bërë të qartë Hagës se Shqipëria nuk e pranon një baltë të tillë kundër një lufte çlirimtare.
Kjo deklaratë e Kuvendit duhet të miratohet menjëherë”, ka thënë Balla nga Kuvendi.



