Në emisionin e djeshëm trajtuam një aksident të ndodhur në dhjetor të vitit 2025, në periferi të Belshit mes një kamioni dhe një motorri. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën 36-vjeçari, i cili drejtonte motorrin.Sipas familjarëve të viktimës, kamioni kreu një parakalim të gabuar, duke dalë në korsinë e motorrit dhe duke e përplasur atë përballë. Familjarët e të ndjerit denoncuan faktin, se ndaj drejtuesit të kamionit, Fatos Peci, është dhënë masa arrest shtëpie, pavarësisht pasojës fatale të aksidentit. Fatos Peci rezulton, se ka shkelur edhe arrestin e shtëpisë. Ai është pronar i një karburanti dhe i një biznesi tjetër, ku është parë duke dalë dhe duke takuar klientë. Pas transmetimit tonë, specialistët për hetimin e krimeve të komisariatit të policisë Cërrik ndaluan Pecin, për thyerje të masës së sigurisë dhe ia referuan materialet prokurorisë për veprime të mëtejshme.




