Lidhur me një denoncim të publikuar një ditë më parë, 9 shkurt, në emisionin investigativ “Stop”, në Tv Klan, policia bën me dije se ka ndaluar Fatos Pecin, këtë të martë, 10 shkurt.
Sipas njoftimit të uniformave blu, nga pamjet e publikuara nga “Stop”, ka rezultuar që 48-vjeçari ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Elbasanit.
Kjo masë ishte caktuar ndaj Pecit, pasi ka konsumuar veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
“Cërrik/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik ndaluan me iniciativë shtetasin F. P., 48 vjeç, pasi bazuar në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “STOP”, rezultoi se 48-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme“, njoftojnë blutë.
Kujtojmë, se në emisionin e datës 9 shkurt, u publikua denoncimi i bërë nga familjarët e një 36-vjeçari, ky i fundit i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor mes motorit që ai drejtonte dhe një kamioni.
Sipas familjarëve të viktimës, kamioni ka kryer një parakalim të gabuar, duke dalë në korsinë e motorit dhe duke e përplasur atë përballë. Emisioni “Stop” ka siguruar pamje nga vendngjarja, video dhe fotografi, të cilat tregojnë, se përplasja ka ndodhur në korsinë e motorit.
Kjo përforcon pretendimet e familjarëve, se shkaku i aksidentit ishte parakalimi i gabuar i kamionit. Familjarët e të ndjerit denoncojnë faktin se ndaj drejtuesit të kamionit, Fatos Peci, është dhënë masa arrest shtëpie, pavarësisht pasojës fatale të aksidentit.
Gazetari i “Stop” ka takuar edhe vetë Fatos Pecin. Gjatë intervistës, ai jep versione të paqarta dhe kontradiktore, por në thelb pranon, se ka kryer një parakalim të gabuar, që çoi në aksidentin fatal.
Fatos Peci rezulton të jetë pronar i një karburanti dhe i një biznesi tjetër, ku është parë duke dalë dhe duke ushtruar aktivitetin normal, duke takuar klientë dhe jo vetëm familjarët, siç e parashikon ligji.



