Sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Prokuroria pretendon se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, ndaj deklaratat e këtyre të fundit duhet të merren me rezervë lidhur me UÇK-në, komandën e organizatës dhe rolin e ish-eprorëve në të.
“Ata nuk e dinin se Thaçi mund të bënte emërime ushtarake…Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”, tha Prokuroria.
Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.




