Gjykata e Apelit të GJKKO ka lënë fuqi dënimin e Shkallës së Parë me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla.
Vendimi është i formës së prerë për kryebashkiakun e Rrogozhinës, i cili akuzohet korrupsion aktiv në zgjedhje. Memolla nuk u paraqit në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës.
Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimet ndaj tre personave të tjerë: Ndriçim Tafxhafa 1 vit burg; Blerim Xhamani, 1 vit burg dhe Isuf Tosku, 8 muaj, pezullohet në shërbim prove.
Ata akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas publikimit të një regjistrimi audio që ngriti dyshime për ndikim të paligjshëm.
Në regjistrimin e bërë publik, Memolla, asokohe kandidat për kryebashkiak, kërkonte nga elektricisti i FSHU-së në Durrës, Ndriçim Tafxhata, që të mos ndërpriste energjinë elektrike të një abonenti debitor, në këmbim të votës së tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Dënimi me vendim të formës së prerë i Edison Memollës e çon bashkinë e Rrogozhinës në zgjedhje të reja të cilat do të duhet të mbahen jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga krijimi i vakancës.
Memolla ka të drejtë për rekurs në Gjykatën e lartë lidhur me këtë vendim brenda afateve që parashikon ligji.




