Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj emërimit të ish-deputetit të PD-së, Dashnor Sula, në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, duke e cilësuar këtë veprim si akt tradhtie ndaj idealeve të demokracisë dhe opozitës.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale këtë të shtunë, Berisha deklaroi se Sula i është bashkuar kryeministrit Edi Rama në një moment kritik për qeverinë, duke e cilësuar këtë veprim si “patericë” për pushtetin.
“Të dalësh në ditën më të zezë të Edi Ramës, dhe të kapësh flamurin e tij, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisëNë qoftë se tradhtia ndaj atdheut quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë. Del tani në ditën më të zezë, kur po i dridhen këmbët, shkon dhe i bëhesh patericë, kjo është histori turpi”, tha Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për përpjekje sistematike për të korruptuar përfaqësues të opozitës, duke e cilësuar këtë si një veprimtari të ulët dhe kriminale.
“Një nga drejtimet më themelore të Edi Ramës ka qenë korruptimi i eksponentëve të opozitës. Një veprimtari e turpshme, ku qeveria përdor mjetet e saj për të blerë përfaqësuesit e opozitës vetëm për pushtetin e vet,” deklaroi ai.
Berisha u shpreh se Partia Demokratike nuk humbet nga largimi i këtyre individëve, por përkundrazi duhet të ndahet përfundimisht prej tyre.
“Ne nuk duam më kurrë në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës. Këta kanë tradhtuar jo mua, por qytetarët që u kanë besuar,” tha Berisha, duke e mbyllur reagimin e tij me deklaratën se emërimi i Dashnor Sulës përbën “histori turpi”.



