Një video, e mbërritur në redaksinë e emisionit “Stop”, denoncoi hedhjen e paligjshme të mbetjeve inerte në zonën e ish-fushës së aviacionit në Tiranë. Pamjet tregojnë punonjës të kontraktuar, që derdhin thasë me inerte nga mjetet e tyre, duke krijuar pirgje mbetjesh në mes të territorit.Pas verifikimit në terren, u konstatua, se zona ishte e mbuluar nga mbetje ndërtimi dhe të tjera, duke shkaktuar ndotje të rëndë mjedisore. Pas njoftimit nga “Stop”, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake ndërhynë, kryen verifikime dhe siguruan prova.Si rezultat, u identifikuan tre shtetas, të cilët u vunë përpara përgjegjësisë penale. Materialet u referuan në Prokurori, ndërsa ndaj tyre u vendos masë gjobe. Paralelisht, Drejtoria e Pastrimit e Bashkisë së Tiranës nisi pastrimin e territorit dhe largimin e mbetjeve.



