“O të vritet ai ose të vritem unë”, i morën gjysmën e shtëpisë për rrugë, i “zhduket” prona!

Vladimir Strati, emigrant prej 30 vitesh në Greqi, investoi kursimet e jetës për të ndërtuar në vitin 2014 një vilë dy-katëshe në Korçë, me vlerë rreth 100 mijë euro. Një vit më pas, zgjerimi i rrugës “Gjon Buzuku” nga Bashkia Korçë, i preku gjysmën e banesës.Në vitin 2015, Strati arriti një marrëveshje me Bashkinë, për të modifikuar vetë pjesën e mbetur të shtëpisë, ndërsa për pjesën e zënë nga projekti u dëmshpërblye me 16 milionë lekë të vjetra. Por tani, prej 10 vitesh, familja Strati nuk pajiset me certifikatën e pronësisë për gjysmën e banesës, që ka mbetur. Pas një ankese zyrtare, ASHK Korçë lëshoi lejen e legalizimit, por refuzon certifikatën, pasi nga Bashkia Korçë është dërguar një shkresë, ku deklarohet, se familja është shpronësuar totalisht me vlerën 56 milionë lekë.Strati provon me dokumente bankare dhe marrëveshjen zyrtare, se ka marrë vetëm 16 milionë lekë të vjetra dhe se gjysma e shtëpisë ekziston ende, pa u prekur nga projekti.Ne u interesuam në Bashkinë Korçë, ku kryetari Sotiraq Filo pranoi, se çështja lidhet me një gabim në VKM-në e vitit 2015, ku prona e familjes është pasqyruar si e prishur plotësisht. Sipas tij, Bashkia do të kërkojë korrigjimin e këtij vendimi nëpërmjet Këshillit Bashkiak dhe Drejtorisë së Shpronësimeve.Por nga Drejtoria e Shpronësimeve bëhet e ditur se VKM-ja e vitit 2015 nuk mund të ndryshohet, pasi për projektin janë konstatuar shkelje serioze nga Bashkia Korçë. Pas një kalvari 10-vjeçar, Vladimir Stratit nuk i mbetet tjetër rrugë veçse t’i drejtohet Gjykatës, për të detyruar Kadastrën, të regjistrojë pronën dhe Bashkinë Korçë, të dëmshpërblejë dëmin e shkaktuar ndër vite.

Të Fundit