Emailet e Epstein: Në vitet 2015-2017 diskutohej simulimi i një pandemie globale, përpara COVID-19

Miliona dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, të publikuara të premten e kaluar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, zbulojnë se në vitin 2015 është zhvilluar një korrespondencë elektronike mes Epstein dhe miliarderit Bill Gates lidhur me një “simulim pandemie”.

Një email me subjekt “Përgatitja për Pandemitë”, i datës 20 mars 2015, iu dërgua Epsteinit nga një person, emri i të cilit është fshirë nga dokumentet e publikuara. Mesazhi përmbante një draft-axhendë për një takim përgatitor mbi pandemitë, si dhe sugjerime për përfshirjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).

Sipas citimeve të medias koreane Chosun Biz, autori i emailit i shkruante Epsteinit:
“Siç u kërkua, po bashkëngjit një draft axhendë për një takim përgatitor mbi pandeminë”, duke shtuar se duhej diskutuar “mënyra e përfshirjes zyrtare të OBSH-së dhe KNKK-së”.

Gazeta ruse Izvestia raportoi të martën se dokumentet e Epstein përmbajnë diskutime mes tij dhe Bill Gates lidhur me modelimin e pandemive dhe projekte biomjekësore, çka ka nxitur spekulime se personi i paidentifikuar në emailin e vitit 2015 mund të ketë qenë vetë Gates.

Sipas raportit, emaili në fjalë i ishte dërguar fillimisht Bill Gates në vitin 2017 nga një person tjetër dhe më pas ishte përcjellë te Epstein. Në të diskutoheshin koncepte për simulimin e skenarëve të shpërthimeve të sëmundjeve në shkallë të gjerë, kërkimi në neuroteknologji dhe përhapja globale e infeksioneve.

Këto diskutime mbi skenarët e pandemive u zhvilluan disa vite përpara shfaqjes së COVID-19.

Në tetor 2019, Fondacioni Bill & Melinda Gates sponsorizoi një simulim global pandemie të quajtur “Eventi 201”, i organizuar në bashkëpunim me Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore dhe Forumin Ekonomik Botëror. Qëllimi i simulimit ishte testimi i gatishmërisë globale për një shpërthim të imagjinuar viral.

Megjithatë, Fondacioni Gates ka theksuar se “Eventi 201” ishte vetëm një ushtrim teorik dhe nuk përbënte planifikim apo parashikim të një pandemie reale.

Fondacioni Gates ka kontribuar prej vitesh në projekte të ndryshme qeveritare, veçanërisht në fushën e barnave dhe vaksinave, duke financuar edhe kërkime përmes Agjencisë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor.

Jeffrey Epstein, një pedofil i dënuar që vdiq në një burg amerikan në vitin 2019, ka pretenduar gjithashtu se Bill Gates i kishte kërkuar antibiotikë për t’ia dhënë fshehurazi gruas së tij të atëhershme, Melinda Gates.

Në një email tjetër, Epstein i shkruante ish-ambasadorit britanik në SHBA, Peter Mandelson, se po “kalonte shumë mirë” me Gates gjatë një vizite në Seattle.

Rreth 3 milionë faqe dokumentesh, të publikuara gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, përmbajnë gjithashtu fotografi të reja të Epstein me Gates. Bill Gates nuk ka komentuar mbi këto pretendime.

Në një intervistë të vitit 2021 për CNN me Anderson Cooper, Gates e quajti marrëdhënien e tij me Epstein “një gabim të madh”, duke minimizuar kontaktet mes tyre dhe duke deklaruar se kishte darkuar disa herë me të me shpresën për të siguruar donacione për fondacionin e tij.

Lidhja e Gates me Epstein, e cila nisi rreth vitit 2011 pas dënimit të Epstein për shfrytëzim seksual të një të miture raportohet se ka qenë një nga arsyet që çoi Melinda French Gates drejt kërkesës për divorc.

Në një email të vitit 2013, i mbushur me gabime drejtshkrimore, Epstein shkruante se kishte vendosur të tërhiqej nga roli i tij në Fondacionin Gates dhe BG3, një organizatë kërkimore e themeluar nga Gates, pasi veprimet e tij kishin qenë “në qendër të një mosmarrëveshjeje shumë serioze martesore mes Melindës dhe Billit”.

Ai pretendonte gjithashtu se Gates i kishte kërkuar të merrte pjesë në veprime që “varionin nga të papërshtatshmet deri te imoralet dhe të paligjshmet”.

Të Fundit