Një incident i rëndë u regjistrua të mërkurën në zonën e Belshit, ku një grua e moshuar ndërroi jetë pasi është sulmuar nga qeni i fqinjit. Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar fqinjin e viktimës.
Policia njofton se 68-vjeçari i arrestuar është kunati i 65-vjeçares, Emine Agolli. Ajo u plagos rëndë në gjymtyrët e poshtme si pasojë e kafshimit të qenit. Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës.
“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan/ Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin G. A., 68 vjeç, pasi dje, qeni që ai mbante, ka kafshuar shtetasen E. A., 65 vjeçe (bashkëshortja e vëllait të tij), e cila për pasojë ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.



