Ish-diplomati i njohur sllovak, Miroslav Lajçak, ka folur për herë të parë pas publikimit të emaileve që e lidhin me dosjen e Jeffrey Epstein. Në një intervistë të shkurtër për një radio sllovene, ai pranoi se disa nga komunikimet e tij kanë qenë të papërshtatshme.
“Kam treguar gjykim të dobët… shprehje të egove mashkullore. Ato emaile kanë qenë biseda vetëkënaqësie,” tha Lajçak, duke shtuar se nuk i mban mend mirë mesazhet ku përmendeshin vajzat.
Ai theksoi se marrëdhënia e tij me Epstein ishte “vetëm në nivel komunikimi, jo veprash”, duke shtuar: “Sot po e paguaj çmimin për njohjen me të.”
Emri i Lajçakut u shfaq në disa shkëmbime mesazhesh që kanë ngritur pikëpyetje mbi natyrën e kontakteve, pavarësisht karrierës së gjatë në diplomaci, ku ka shërbyer si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë dhe si i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi.
Lajçak u justifikua duke deklaruar se po të kishte ditur më parë natyrën kriminale të veprimeve të Epstein, nuk do të kishte ndërvepruar me të, dhe nuk mund të konfirmojë saktësinë e plotë të të gjitha mesazheve që po qarkullojnë.
Pas publikimit të dokumenteve, Lajçak njoftoi dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, Robert Fico, duke shtuar pasiguri edhe mbi angazhimin e tij profesional në diplomaci.



