Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka rritje çmimesh për barnat e rimbursueshme në 2026

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se çmimet e barnave për vitin 2026 janë miratuar sipas metodologjisë në fuqi dhe nuk parashikohet rritje për barnat alternative e vetme të Listës së Barnave të Rimbursueshme (LBR).

Sipas Komisionit të Çmimit të Barnave (KÇB), çdo vit çmimet vendosen në bazë të VKM-së nr. 645, datë 01.10.2014, e ndryshuar, e cila parashikon procedurën që duhet të ndjekin mbajtësit e autorizimit për tregtimin e barnave, si dhe kriteret për vendosjen e çmimeve referencë.

Për barnat import, çmimi i referencës vendoset sipas elementeve të mëposhtme: çmimi më i ulët nga pesë shtetet referente (Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci), çmimi i tregtimit me pakicë në vendin e origjinës, ose çmimi i barnave të importuara në Shqipëri gjatë 12 muajve të fundit. Për barnat gjenerike, çmimi duhet të jetë deri në 80% të barnave origjinatore.

Ministria thekson se barnat për të cilat nuk është bërë deklarimi i çmimit deri në datën 31 tetor nuk mund të përfshihen në listën e barnave të rimbursueshme për vitin pasardhës. Ndërsa barnat që janë në proces autorizimi dhe kanë bërë deklarimin e çmimit brenda afatit, mund të përfshihen sapo të pajisen me autorizim.

Data e fundit për miratimin e çmimeve CIF/EXW për vitin 2026 ka qenë 31 dhjetor 2025, ndërsa lista e miratuar është përcjellë zyrtarisht tek Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH).

FSDKSH, në bazë të VKM-së nr. 491, datë 24.07.2024, ka reflektuar menjëherë uljen e çmimeve për barnat alternative të vetme, duke ruajtur praktikën e ndjekur prej vitesh dhe duke garantuar që çmimet e ndryshuara për vitin 2026 janë më të ulta se ato të vitit 2025.

Të Fundit