Tregtarët e Tregut Industrial kanë zhvilluar një takim të shkurtër me ministren Elisa Spiropali, pak para hyrjes së saj në aktivitetin që po zhvillohet në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.
Gjatë takimit, tregtarët i kanë paraqitur ministres shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Bashkisë për zhvendosjen e tregut. Ata kanë kërkuar që t’u gjendet një vend i përshtatshëm brenda qytetit për të vijuar aktivitetin e tyre tregtar.
Ministrja Spiropali u ka premtuar tregtarëve se do të komunikojë me përfaqësuesit e Bashkisë për këtë shqetësim dhe se do të kërkojë gjetjen e një zgjidhjeje për situatën.
Tregtarët janë shprehur se presin që ky premtim të shoqërohet me veprime konkrete, ndërsa theksojnë se zhvendosja pa një alternativë të qartë do të dëmtojë seriozisht bizneset e tyre.



