Ministri i Drejtësisë, Besford Lamallari, në një konferencë për mediat u ndal dhe te arratisja nga spitali i Durrësit e të burgosurit Altin Ndoci.
Ai tha se janë marrë masa menjëherë që nga shkarkimi i drejtorit të burgut te pezullimi i të gjithë zinxhirit komandues të institucionit.
Lamallari tha se i ka kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve rritjen e hetimeve proaktive në të gjitha burgjet, për të shmangur situata të ngjashme.
“Reagimi i ministrit ishte i shpejtë, duke nisur nga pezullimi i zinxhirit përgjegjës dhe vënia e tyre në dispozicion të hetimit penal. U shkarkua drejtori i burgut dhe, njëkohësisht, u bë transferimi i të dënuarve në burgje me siguri më të lartë. Krahas këtyre masave, i kam kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve rritje të hetimeve proaktive në të gjithë burgjet, për të shmangur situata të ngjashme apo për të evidentuar paligjshmëritë që lidhen me futjen e sendeve të paligjshme. Kjo kërkon masa më të gjera sesa një rast i vetëm konkret. Këto vizita nuk ishin njoftuar as në Drejtorinë e Burgjeve, dhe kjo ka qenë arsyeja pse kam marrë vendimin për shkarkimin e drejtorit. I kam kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve të jenë të pranishëm në çdo IEVP për të garantuar evidentimin e këtyre situatave. Është një raport që po përgatitet dhe ka informacione ditore që përcillen nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve”, tha Lamallari.
Lamallari njoftoi gjithashtu se ka kërkuar rritjen e masave të sigurisë në të gjitha burgjet e vendit dhe organizimin e një tryeze ku do të përfshihen ekspertë të huaj për mbështetje në sigurinë e institucioneve penitenciare.
“Kam kërkuar që të rriten masat në të gjitha burgjet e vendit, që të ketë më shumë siguri dhe të mos futen sende të paligjshme nëpër burgje. Kam kërkuar gjithashtu që të organizohet një tryezë ku të përfshihen dhe ekspertë të huaj, që të na japin mbështetje për sigurinë”, deklaroi ai.
Ministri theksoi edhe nevojën për t’i dhënë fund paraburgimit të gjatë, si pjesë e respektimit të lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut.
“Duhet t’i jepet fund paraburgimit të gjatë, pasi kjo ka të bëjë me lirinë dhe të drejtat themelore që garantohen në Kushtetutë”, deklaroi ai.



