Kryeministri Edi Rama tha gjatë një dëgjese me fermerët në Divjakë se Shqipëria ka aktualisht një numër shumë të ulët fabrikash agro-përpunimi, duke e cilësuar këtë situatë si të papranueshme.
Kreu i qeverisë theksoi se mungesa e kapaciteteve të përpunimit për prodhimet bujqësore përbën një pengesë serioze jo vetëm për zhvillimin e sektorit, por edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e kritereve strikte të sigurisë ushqimore.
“Ne kemi një numër qesharak fabrikash që përpunojnë prodhimet tona bujqësore. Kjo është e papranueshme. Nëse nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të BE-së, ndalon shitja jo vetëm në tregjet evropiane, por edhe këtu”, u shpreh Rama.
Rama tha se qeveria ka vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro, fond i cili mund të shkojë deri në 1 miliard euro nëse shfrytëzohet përmes Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë.
Ai theksoi se financimi nuk është problem, por mungesa e informacionit dhe përgatitjes për të përthithur këto fonde mbetet një sfidë e madhe.



