Aksident tragjik në Itali, dy të rinj shqiptarë humbin jetën pas përplasjes fatale me kamionin

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së enjtes, më 29 janar, në rrugën Sanità, që lidh Saviglianon me Vottignascon, në zonën Gorra të qytetit Savigliano, Itali.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Jeep Avenger është përplasur ballë për ballë me një kamion Iveco. Përplasja ka qenë e fortë dhe ka pasur pasoja tragjike.

Siç raportojnë mediat italiane, dy të rinj shqiptarë, pak mbi të njëzetat, të cilët udhëtonin në automjetin tip SUV, kanë humbur jetën në vendngjarje. Një i tretë, që ndodhej gjithashtu në Jeep, u transportua me ambulancë drejt spitalit të Saviglianos, në gjendje të stabilizuar.

Nga përplasja është përmbysur edhe mjeti i rëndë, i cili ka përfunduar në një kanal anësor të rrugës. Dy personat që ndodheshin në kamion, një çift bashkëshortësh nga Costigliole Saluzzo, kanë mbetur të plagosur. Drejtuesi i mjetit u dërgua në spitalin e Saviglianos, ndërsa bashkëshortja e tij u transportua me helikopter drejt spitalit të Cuneos.

Në vendngjarje ndërhynë helikopteri i emergjencës 118, dy ambulanca të pajisura me mjekë, zjarrfikësit, policia lokale dhe karabinierët. Rruga u bllokua për disa orë për të mundësuar hetimet dhe për të sqaruar shkaqet e aksidentit.

Autoritetet italiane po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Të Fundit