U mbajt këtë të enjte në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca për vrasjen e Liridona Ademajt. Të akuzuar për këtë çështje janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Gjatë dëshmisë së tij, i akuzuari Naim Murseli deklaroi se gjatë viteve të martesës me Liridonën kanë pasur marrëdhënie shumë të mira, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje në vrasjen e saj.
“Kemi pasur 11 vite martesë me Liridonën. Si rezultat kemi dy fëmijë dhe marrëdhënia ime me të ka qenë shumë e mirë. Ka qenë një grua e mrekullueshme, nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e devotshme. Liridona kishte shumë dëshirë të bëhej nënë dhe kishte vështirësi për të mbetur shtatzënë, por më pas iu realizua ëndrra dhe u bë nënë, ndërsa unë u bëra baba. Çdo gjë ka qenë në rregull mes nesh”, deklaroi Murseli.
Ai mohoi se ka pasur ndonjë marrëveshje për vrasjen e bashkëshortes së tij.
“Nuk kishte asnjë marrëveshje për të vrarë Liridonën”, tha ai, duke shtuar se në momentin e vrasjes as ai dhe as fëmijët nuk ndodheshin në makinë.Ju betohem në dy fëmijët e mi që nuk kam qenë në makinë kur është vrarë Liridona Ademaj. Kam qenë së paku 20 metra larg, as unë dhe as fëmijët”, u shpreh ai para trupit gjykues.
Gjyqi ndaj tre të akuzuarve ka përfunduar, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 11 shkurt.



