Policia e Durrësit nuk ndalet në zbulimin e apartamenteve që përdorin për prostitucion shtetaset e huaja në këtë qytet. Këtë radhë efektivet kanë zbuluar një apartament të tillë në zonën e Vollgës, i cili ishte marrë me qira nga dy braziliane, të cilat e kishin përshtatur me qëllim kryerjen e aktivitetit të ushtrimit të prostitucionit.
Policia njofton se, në kuadër të fazës së 14-të të operacionit policor të koduar “Storm”, ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dy shtetase braziliane, Th. C., 35 vjeçe, dhe A. F., 39 vjeçe, si dhe dy shtetas shqiptarë, E. D. dhe S. A., për prostitucion.
“Policia e Durrësit organizoi operacionin e koduar “Storm”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë 2-javore, për veprat penale ‘Prostitucion’ dhe ‘Përshtatja e ambienteve për prostitucion. Si rezultat i këtij operacioni u proceduan në gjendje të lirë shtetaset Th. C., 35 vjeçe, dhe A. F., 39 vjeçe, lindur në Brazil. Këto shtetase kishin marrë një apartament me qira në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, Durrës, të cilin e kishin përshtatur me qëllim kryerjen e aktivitetit të ushtrimit të prostitucionit. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale ‘Prostitucioni’ edhe dy shtetas, E. D. dhe S. A., banues në Durrës”, njofton policia.
Ndërsa janë sekuestruar shuma parash, pasaportat e dy shtetaseve, blloqe shënimesh dhe 8 celularë.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 1 080 euro, 116 700 lekë, 120 dollarë amerikanë, 80 paund britanikë, 150 franga dhe 3 430 dinarë, si dhe dy pasaporta të shtetaseve të huaja, 8 aparate celularë, karta telefoni dhe blloqe shënimesh. Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”, njofton policia.




