Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor tha në një konferencë për mediat nga Kryeministria se viti 2026 do të jetë viti i fuqizimit të bashkive përmes disa nisma si pjesë e reformës territoriale.
Demo u shpreh se tri shtyllat kryesore të këtij transformimi do jetë Akademia e Pushtetit Vendor, sistemi AFMIS dhe krijimi i një portali unik për shërbimet publike.
Akademia do të financohet në mënyrë të përbashkët, me 50% të kostove të mbuluara nga bashkitë dhe 50% nga qeveria qendrore dhe do të shërbejë si platformë për ndarjen e praktikave më të mira, për forcimin e kapaciteteve dhe për krijimin e modeleve të qëndrueshme të zhvillimit lokal.
Ministri tregoi se përmes një projekti që ka nisur synohet digjitalizimi i shërbimeve lokale, përmes krijimit të një portali unik që do të integrojë shërbimet në nivel qendror dhe vendor.
“Ne kemi një projekt shumë të madh që do jetë transformues për atë që qytetari përjeton në marrjen e shërbimeve lokale, që është digjitalizimi i shërbimeve lokale.
Të kemi një portal unik për të gjitha shërbimet që qytetari kërkon, qoftë në nivel qendror dhe në nivel lokal. Është një projekt që ka filluar dhe besoj se impelementimi kërkon një punë të konsiderueshme por jam i bindur se bashkitë janë aktorët e parë të interesuar për të krijuar një shtrat të qëndrueshëm digjitalizimi në nivel lokal”, theksoi ai.




