“Shqipëria e palëkundur kundër antisemitizmit”, Rama: Të nderuar që jemi në Bordin e Paqes

Kryeministri Edi Rama tha në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun izraelit Benjamin Netanjahu në Jerusalem se, Shqipëria qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit ashtu siç qëndron kundër islamofobisë.

Rama theksoi se Shqipëria është e nderuar të jetë pjesë e Bordit të Paqes të themeluar nga presidenti amerikan për stabilizimin e situatës në Gaza.

“Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera.

Vizita në Nova Site dje, menjëherë pas mbërritjes, ishte thellësisht trazuese. Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e barbarive. Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga presidenti Trump dhe e shoh këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe përgjegjësi morale.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajmë rolin tonë brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.

Me Izraelin, ne vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe sigurisë kibernetike e kundër terrorizmit”, tha Rama.

Të Fundit