Stoku i dosjeve, ministri Lamallari thirrje gjyqtarëve: Orientoini qytetarët të pajtohen me ndërmjetësim

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka kritikuar ashpër funksionimin e drejtësisë së re për shkak të stokut të lartë të dosjeve dhe vonesave të zgjatura në gjykata, duke i cilësuar ato si “mohim të drejtësisë përmes vonesës”.

“Nuk është statistikë, është mohim i drejtësisë përmes vonesave”, u shpreh Lamallari, duke theksuar se qytetarët po humbasin besimin.

Si një nga zgjidhjet kryesore që ai ofron për lehtësimin e stokut, ministri kërkoi përdorimin më aktiv të ndërmjetësimit, duke u bërë thirrje gjyqtarëve që të orientojnë palët drejt pajtimit dhe zgjidhjeve jashtëgjyqësore, kur kjo është e mundur.

“Kuadri ligjor ekziston, mekanizmat ekzistojnë. Ministria e Drejtësisë po merr masat e nevojshme për ta bërë ndërmjetësimin një instrument real dhe funksional”, deklaroi ai.

Lamallari theksoi se, përballë një situate kritike me stokun e dosjeve, ndërmjetësimi mbetet një nga mundësitë më të mëdha të humbura, pavarësisht ndikimit pozitiv që mund të ketë në lehtësimin e barrës së gjykatave dhe përshpejtimin e drejtësisë.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj sistemit, ministri u shpreh: “Shikoni veten në pasqyrë”, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri dhe reflektim nga aktorët e drejtësisë.

“Retorika dhe justifikimet duhet t’u lënë vendin rezultateve konkrete”, përfundoi Lamallari.

Të Fundit