Presidenti francez Emmanuel Macron tha se dëshiron që qeveria e tij të përshpejtojë procesin ligjor për të siguruar që një ndalim i përdorimit të mediave sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç të mund të hyjë në fuqi para fillimit të vitit të ardhshëm shkollor në shtator.
Sipas tij, truri i fëmijëve dhe adoleshentëve nuk është në shitje dhe se emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe as për t’u manipuluar, qoftë nga platformat amerikane apo algoritmet kineze.
“Po ndalojmë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe do të ndalojmë telefonat celularë në shkollat tona të mesme. Besoj se ky është një rregull i qartë për adoleshentët tanë, i qartë për familjet, i qartë për mësuesit”, theksoi Makron.
Një numër gjithnjë e në rritje i vendeve perëndimore po kërkojnë të miratojnë legjislacion gjithëpërfshirës për të mbrojtur të rinjtë nga dëmet e mundshme të mediave sociale, pas ligjit historik të Australisë në dhjetor që ndalon personat nën 16 vjeç të kenë llogari në Instagram, TikTok, Facebook dhe platforma të tjera.
Njoftimi i Macron erdhi disa ditë pasi qeveria britanike tha se po shqyrton një sërë masash që synojnë t’i mbajnë fëmijët të sigurt në internet, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të mediave sociale për personat nën 16 vjeç.
Ndalimi francez po udhëhiqet nga Laure Miller, një ligjvënëse nga partia e Rilindjes e Macron. Në një intervistë me kanalin televiziv të lidhur me parlamentin francez, Miller tha se qeveria duhej të ndërmerrte veprime sepse “tani për tani, nuk ka asnjë verifikim të moshës”.
“Mund të futni çdo datë lindjeje dhe të hyni në platformë. Ajo që duam t’u imponojmë platformave, duke zbatuar në mënyrë strikte Aktin Evropian të Shërbimeve Dixhitale (DSA), është verifikimi i moshës reale kur hyni në një rrjet social. Kjo ndryshon gjithçka, sepse përdoruesit në fakt do të duhet të vërtetojnë nëse janë mbi apo nën 15 vjeç”, tha ajo.
Ndërsa pranoi se “gjithmonë do të ketë mënyra” për të anashkaluar kufizimet, ajo tha se Franca duhet “të paktën të ndërhyjë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të miturve në internet”.
Pas ndalimit të Australisë, më shumë se 4.7 llogari në mediat sociale që konsiderohen të mbajtura nga persona nën moshën 16 vjeç janë çaktivizuar ose hequr, tha kryeministri Anthony Albanese muajin e kaluar.




