Sëmundjet ishemike të zemrës, “vrasësi” i popullatës

Sëmundjet ishemike të zemrës janë mjaft të shprehura në popullatën shqiptare, të ndihmuara edhe nga faktorët e riskut. Ato janë më të evidentuara tek grupmosha mbi 65 vjeç.

“Sëmundjet ishemike të zemrës përfshijnë infarktin akut të miokardit dhe sindromën koronaroakute, në gjuhën e popullit infarkt, parainfarkt. Siç është në çdo vend të botës, sëmundjet kardiovaskulare mbajnë numrin e parë përsa i përket sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Edhe Shqipëria është në të njëjtin trend, shumë e shpeshtë pas moshës 60 vjeç,” shprehet sinkron Aurel Demiraj.

Qarku i Beratit dhe i Lezhës, sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, kanë edhe incidencën më të lartë të këtyre rasteve në popullatën shqiptare.

“Shtohet me moshën dhe një sërë faktorësh të riskut: duhani dhe obeziteti në rritje në Shqipëri; përdorimi i duhanit është i lartë pas Serbisë. Sëmundjet e tjera, si tensioni dhe sëmundjet renale, shtojnë përqindjen e kësaj sëmundjeje në popullatë”.

Ajo që bie në sy është fakti se tek burrat kjo sëmundje është pothuajse dyfish më e shfaqur se tek gratë.

“Duhet të tregohet kujdes kur ka shenja paralajmëruese, si dhe duhet të ulen faktorët e riskut, siç janë duhani dhe alkooli. Po ashtu duhet aktivitet fizik”.

Sulmet në zemër zakonisht janë ngjarje akute, të shkaktuara kryesisht nga një bllokim që pengon rrjedhjen e gjakut në zemër. Arsyeja më e zakonshme për këtë është grumbullimi i depozitave yndyrore në muret e brendshme të enëve të gjakut.

Të Fundit