Sherri pas aksidentit përfundon me një të vrarë me çekiç, Policia: Kapet autori i dyshuar, shoqërohen disa shtetas të tjerë

Policia e Krujës ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë të ndodhur pas mesnate, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, ku dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me sende të forta dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi Petrit Ndou, 57 vjeç.

“Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar dhe shtetas që mund të ketë dijeni për ngjarjen, por për shkak të hetimit, nuk jepen të dhënat e tyre. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve hetimore, do të jepet informacion i plotë”, tha policia.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 00:40. Viktima dhe autori janë përfshirë në një konflikt fizik pas një aksidenti me makinë. Si pasojë, ka mbetur i vdekur Petrit Ndou, 57 vjeç, banues në Pukë.

Viktima ka marrë një plagë të rëndë në kokë, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një çekiç, i cili dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar është një 28-vjeçar me iniciale A.V., banues në Mamurras. Ky i fundit dyshohet se e ka goditur viktimën në kokë me çekiç, duke i shkaktuar plagë fatale.

28-vjeçari është shoqëruar menjëherë nga uniformat blu dhe po merret në pyetje nga grupi hetimor. Paralelisht, policia po mbledh dëshmitë e dëshmitarëve okularë, si dhe po analizon provat materiale për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

Të Fundit