Rama takim me rektorët: Është koha të rishikojmë ligjin e arsimit të lartë

Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me rektorët e universiteteve publike dhe private në vend, theksoi se rritja e cilësisë së arsimit të lartë dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve janë thelbësore për përgatitjen e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rama u ndal veçanërisht te sfida e ndërkombëtarizimit të universiteteve vendase, duke nënvizuar se volumi i financimeve dhe projekteve të miratuara nga Bashkimi Evropian për Universitetin e Tiranës rritet nga viti në vit. Sipas tij, kjo dëshmon një ndryshim rrënjësor në qasjen e universiteteve shqiptare ndaj financimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Sfida jonë është ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Ka ndodhur një ndryshim i thellë në qasjen e universiteteve ndaj financimit. Deri dje gjithçka ishte e lidhur me buxhetin e shtetit, ndërsa sot Universiteti i Tiranës kryeson një model ku kapacitetet financiare janë rritur jashtë buxhetit shtetëror, përmes projekteve dhe partneriteteve evropiane,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se përfshirja në programe dhe fonde evropiane ka ndikuar pozitivisht jo vetëm në rritjen e të ardhurave për pedagogët më aktivë, por edhe në krijimin e një realiteti të ri akademik, më konkurrues dhe më të hapur ndaj tregut ndërkombëtar të dijes.

Kryeministri ftoi të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe private në një takim të përbashkët për të diskutuar hapur këtë proces.

“Sfida është t’i riorganizojmë universitetet në një sistem shumë më kompetitiv, të besueshëm dhe të gatshëm për të përballuar gjithçka që vjen me procesin e anëtarësimit në BE. Universiteti është aleati më i rëndësishëm i institucioneve dhe i vendit në tërësi në këtë proces,” tha Rama.

Ai shtoi se faktet tregojnë qartë se Bashkimi Evropian nuk bën favore, por financon projekte mbi bazën e meritës dhe standardeve, pavarësisht faktit nëse vendi është apo jo ende anëtar.

Ndërkohë, Kryeministri paralajmëroi edhe ndryshime në ligjin për arsimin e lartë. Në konferencën me rreth 40 rektorë, Rama deklaroi se ligji do të rivizitohet brenda një afati të arsyeshëm, në fund të këtij sesioni parlamentar ose në fillim të sesionit të ri.

“Ka kaluar kohë e mjaftueshme për të reflektuar mbi ligjin aktual, ndryshimet që ka sjellë praktika dhe kërkesat e kohës. Po ashtu, sa i përket akreditimeve, ambicia jonë është ta çojmë agjencinë në një nivel tjetër dhe të përshpejtojmë procesin e akreditimit,” përfundoi Rama.

Të Fundit