Rama flet për Diellën në Abu Dhabi: Kemi një “Doktor Sulltan”, por është grua

Kryeministri Edi Rama ka komentuar ministren e Inteligjencës Artificiale, Diella, këtë të mërkurë gjatë një paneli diskutimi në Abu Dhabi. Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se prej disa vitesh shërbimet publike në Shqipëri ofrohen online, me qëllim eliminimin e radhëve dhe humbjes së kohës për qytetarët.

Sa i përket përdorimit të Inteligjencës Artificiale, Rama u shpreh se Shqipëria po e përdor atë në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Sipas tij, volumi i ligjeve dhe rregulloreve që duhen miratuar për anëtarësimin në BE është jashtëzakonisht i madh, por inteligjenca artificiale po e bën këtë proces më të shpejtë dhe më të saktë.

“Kemi nisur nga ana e kundërt për të nxjerrë më të mirën nga teknologjia digjitale, për shkak të problemeve të trashëguara në ofrimin e shërbimeve të administratës. Prej disa vitesh, shërbimet ofrohen në internet, janë mbyllur zyrat e kontaktit dhe nuk ka më radhë apo kohë të humbur. Me inteligjencën artificiale po punojmë për transferimin e legjislacionit të BE-së, sepse për t’u anëtarësuar duhet të miratosh çdo ligj dhe rregullore në mënyrë të saktë. Ky është një volum i jashtëzakonshëm pune, por me AI po e bëjmë shumë shpejt dhe saktë. Kemi edhe një ministre të Inteligjencës Artificiale, kemi një ‘Doktor Sulltan’, por është grua. Është asistente virtuale që punon për shërbimet,” u shpreh Rama.

Sipas tij, Diella, ministrja e Inteligjencës Artificiale, do të angazhohet gjithashtu edhe në proceset e prokurimeve publike, me synimin për të reduktuar ndërhyrjen njerëzore dhe për të rritur transparencën.

Deklaratat e Ramës u bënë në panelin e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, një organizim i zhvilluar nën kujdesin e Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Të Fundit