“Do t’ia hedhin çelësin në det”, avokati Maks Haxhia: Vetëm po të jetë i çmendur Ergys Agasi dorëzohet

Avokati i Ergys Agasit, Maks Haxhia, deklaroi këtë të martë se nuk ka kontakte me klientin e tij por vetëm me familjarët e tij, pasi ai ndodhet jashtë shtetit. Haxhia tha se ende nuk ka marrë dosjen e plotë me akuza dhe theksoi se Agasi nuk mund të paraqitet para drejtësisë.

“Kjo situatë që është krijuar, duke ngritur akuza të rënda, bën që zbatimi i masës së sigurisë ta vendosë atë në një pozicion ku nuk ka më asnjë shans për të komunikuar me drejtësinë. Zoti Agasi, sipas informacionit që kam nga familja, nuk ndodhet në Shqipëri. Në këtë situatë, vetëm po të ishte dikush që do t’ia ‘hedhte çelësin në det’ mund të vijë dhe të paraqitet në organet e drejtësisë. Në kushtet kur nuk ka asnjë provë dhe asnjë material për akuzat, vetëm po të ishte i çmendur do të vinte,” tha avokati.

Haxhia shtoi: “Ne si mbrojtje ndodhemi në një terr informativ të plotë, pasi nuk kemi asnjë material të dosjes, përveç vendimit të parë për masat e sigurisë.”

Avokati deklaroi gjithashtu se pala mbrojtëse i është drejtuar institucioneve të larta të drejtësisë, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, KLP, KLGJ dhe prokurorin e çështjes, duke kërkuar përgjegjësi për rrjedhjen e informacionit hetimor në publik.

SPAK e akuzon Ergys Agasin për gjashtë vepra penale, përfshirë përfshirjen në grup të strukturuar kriminal dhe një skemë të dyshuar manipulimi të tenderave publikë pranë AKSHI-t.

Më 23 dhjetor, avokati Haxhia tha se klienti i tij ndodhej jashtë shtetit për një kontratë dhe se do të kthehej në Shqipëri. Ndërsa sot ai rrëzoi mundësinë e dorëzimit të Agasit.

Të Fundit