Çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente ka përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore në fshatin Hasturkas në Libofshë dhe 20 banesa.
Banorët të cilët kanë qëndruar përgjatë gjithë natës në gatishmëri shprehen të alarmuar nga situata. Përgjatë gjithë natës janë evakuuar 9 persona të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar për fatin e të afërmve të tyre me të cilët kanë humbur kontaktet.
“Stallën me bagëti, kam 200 dele. Nuk i nxorrëm dot, erdhi uji me forcë. Me bashkëshortin dhe djalin s’kam kontaktuar, nuk e di si është gjendja e tyre, dua të iki t’i shikoj”, thotë një banore mes lotësh.
“Është hera e parë, nuk mbaj mend përmbytje të tillë në këtë zonë. Nuk po mirëmbahen argjinaturat”, thotë një banor tjetër.
“Të zotin e mallit, është edhe çobani. Kanë tre ditë pa ngrënë, pa pirë. Nuk e dimë ku ndodhen. As bateri nuk kanë, nuk lidhemi dot. Duam një rrugëzgjidhje të shkojmë t’i marrim”, thotë banori tjetër.




