Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, paraditen e kësaj të marte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtuesi Madhor Ilir Proda, së bashku me familjarë të Dëshmorëve të Policisë, vendosën kurora me lule në memorialin përkujtimor të Dëshmorëve të Policisë, të rënë në krye ose për shkak të detyrës.
Drejtori Proda shprehu mirënjohjen e pakufishme dhe nderimet më të larta për veprën e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të cilët janë njëkohësisht Dëshmorë të Atdheut, gjaku i të cilëve qëndron në flamurin kombëtar dhe në themelet e kombit.
“Sakrifica sublime dhe emri i secilit prej ish-kolegëve të rënë gjatë përballjes me krimin janë motive të forta pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë, për t’i ruajtur të denja simbolin kombëtar, jetën dhe pronën e çdo qytetari”, tha Proda.




