KQZ aprovon kërkesën, identiteti i shumëfishtë gjinor drejtë referendumit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon këtë të hënë një seancë publike me rend dite shqyrtimin e kërkesës për pajisjen me fletë për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi për barazinë gjinore.

KQZ po shqyrton kërkesën për referendum me objekt që qytetarët shqiptarë të shprehin drejtpërdrejt vullnetin e tyre lidhur me çështje me rëndësi të veçantë, duke parashtruar pyetjet:

1-A doni që ligji të njohë vetëm dy gjini: mashkull (burrë) dhe femër (grua)? 2-A doni që ligji të njohë martesat vetëm mes burrit dhe gruas? 3-A doni që ligji të njohë të drejtën e fëmijës për t’u rritur me një nënë dhe një baba?

Kërkesa është bërë në KQZ më 22 dhjetor të vitit të kaluar ku një grup nismëtarësh nga koalicioni “Pro Familjes” kanë kërkuar pajisjen me fletë për mbledhjen e firmave për zhvillimin e një referendumi popullor, përmes të cilit kërkohet shfuqizimi i ligjit për barazinë gjinore.

Ligji për barazinë gjinore u miratua më 6 nëntor 2025 me 77 vota të mazhorancës socialiste, ndërsa opozita e kundërshtoi dhe nuk mori pjesë në votim.

Pritet që KQZ të miratojë dhënien e fletës tip për grupin nismëtar, me të cilën më pas do t’u drejtohen qytetarëve për mbledhjen e 50 mijë firmave, të cilat sipas ligjit duhet të jenë pjesë e regjistrit të zgjedhësve.

Grupi nismëtar ka në dispozicion 60 ditë për mbledhjen e firmave dhe më pas do t’i depozitojë ato pranë KQZ-së, ndërsa procedura parashikon më tej një proces verifikimi të tyre.

Të Fundit