Rama në parkun eolik në Tropojë: Shqipëria do të jetë sovrane në energji

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot parkun e madh eolik të Tropojës, një investim me kapacitet të pritshëm 600 MW, zhvilluar nga kompania amerikane CWP. Sipas tij  ky projekt është dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të Shqipërisë drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se brenda kësaj dekade Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të dalë në treg për të blerë energji, por do të shesë prodhimin që tejkalon kërkesën e brendshme.

“Ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë. Ne e kemi pasur për një periudhë të gjatë në varësi të plotë nga uji, ndërkohë kemi trashëguar një sistem me aq shumë të çara sa që kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar për të blerë sasi të mëdha me çmime të kripura, ndërkohë kur shiu ka ardhur me shumicë, të derdhet dhe jo vetëm të mos kthehet në energji, por të shkaktojë dhe dëme. Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit dhe ne do të jemi në kategorinë e jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti. Kjo për rezultat i investimeve, i një vizioni, i një programi i dhe i një përpjekjeje të përditshme nga ministra e Energjisë”.

Ai nënvizoi rëndësinë e diversifikimit të burimeve, duke shtuar se përveç ujit, energjia diellore dhe era do të sigurojnë rreth 30% të prodhimit deri në fund të dekadës.

“Uji do të mbetet burimi kryesor i prodhimit, por energjia e diellit dhe erës kanë filluar të zënë vendin e tyre, vend që deri në fund të kësaj dekade, do të jetë 30%. Me këtë 30% do të kemi plotësisht të garantuar se sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe çdo të prodhojmë përtej nevojave, do ta eksportojmë. Jo më para të hedhura jashtë vendit për të blerë energji, por energji e shitur jashtë vendit për të sjellë më shumë të ardhura për ekonominë”, shtoi kreu i qeverisë.

Sipas Ramës  investimi sjell dije dhe eksperiencë të re, si dhe vlerë të shtuar në sektorin strategjik energjetik, duke e bërë Shqipërinë një vend më të pavarur në fushën e energjisë.

“Finalizojmë një përpjekje 2-vjeçare, e përbashkët me kompaninë e mirënjohur për të gjithë procesin parapërgatitor që faktikisht është më i shkurtër se procesi i ndërtimit. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë siç duhet dhe në harkun e 11 muajve pa llogaritur dimrin intensiv. Ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë se rinovueshme. Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë, rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë, unë kam besim që jo vetëm do të përfitojmë një burim të ri dhe t fuqishëm energjie të rinovueshme, por do të përfitojmë dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe të veprimit me një sektor kaq strategjik”.

Të Fundit