Pas publikimit në media të një rasti për një situatë me tre fëmijë të gjetur në rrethana të vështira në banesë, ata u morën në kujdes nga Shërbimi Social në Durrës.
Për rastin ka reaguar dhe nëna e tyre, Blerina, e cila thotë se situata nuk përbënte braktisje, por ishte pasojë e vështirësive ekonomike dhe jetës së saj të përditshme.
“Kam tre fëmijë, 5, 10 dhe 12 vjeç. Jam e divorcuar prej 5 vitesh dhe punoj banakiere. Të tre fëmijët i lë së bashku kur shkoj në punë, sepse paguhem 400 mijë lekë në muaj dhe paguaj 300 mijë lekë qira. Nuk kam mundësi të rri me ta gjatë gjithë kohës, por kurrë nuk i braktis”, shpjegon Blerina.
Ajo akuzon ish-vjehrrën se i ka hyrë pa leje në shtëpi dhe ka ndikuar te fëmijët që të flasin keq për të, duke e vendosur në një situatë të vështirë ligjore. “Ky është një kurth. Nuk e di si mund të ndodhë që dikush të hyjë në shtëpinë time pa leje dhe të më denoncojë në polici”, thotë ajo, sipas burimeve hetimore.
Blerina tregon se djali i dytë ka vuajtur nga epilepsia dhe ka kaluar shumë kohë në spitale për trajtim. Ajo shton se babai i fëmijëve ka qenë në burg në Itali për pesë vjet dhe aktualisht mund të kontribuojë vetëm me 180 mijë lekë të vjetra në muaj për ushqimin e tyre.
Në lidhje me rastin ka reaguar edhe Minsitria e Shëndetësisë ku njofton se 3 fëmijët bashkë me të ëmën, kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, dhe se iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme.
Njoftimi i policisë
“Drejtoria Vendore e Policisë Durrës/ Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.




