Më shumë zjarre të rëna në verë, të pasuara nga përmbytje të shumta në dimër. Megjithëse Shqipëria po ekspozohet gjithmonë e më shumë ndaj fatkeqësive natyrore, qytetarët vijojnë t’i drejtohen shtetit për rimbursim, edhe pse fatin e banesave të tyre e kanë pasur vetë në dorë përmes sigurimit vullnetar.
“Duke qenë një produkt vullnetar, nuk është i shtrenjtë dhe duhet të përqafohet nga individi për të menaxhuar rrezikun e vet. Qytetarët shpenzojnë për të blerë internet, për produkte të ndryshme luksi, por nuk shpenzojnë – ose më saktë nuk investojnë për të menaxhuar këtë rrezik nga përmbytjet, tërmetet apo zjarri, duke menduar se nuk do t’u ndodhë ose, nëse ndodh, do t’i drejtohen shtetit”, tha Artur Ribaj, ekspert sigurimesh
Edhe pse sigurimi i pronës është vullnetar, si në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, në Shqipëri, sipas të dhënave, vetëm 5–7% e pronave kanë qenë të siguruara deri vitin e kaluar, një nivel shumë më i ulët krahasuar me vendet e zhvilluara.
“Edhe përqindja që ju citoni i referohet kryesisht sigurimit të detyrueshëm për shkak të kredive, pasi këto prona janë të ekspozuara ndaj bankave dhe duhet të sigurohen. Problemi është historik, por lidhet edhe me mungesën e kulturës së sigurimit të pronës nga vetë individi për të menaxhuar rrezikun, si dhe me faktin që kemi mësuar popullatën se, nëse ndodh një dëm, duhet të përgjigjet shteti,” shprehet ndër të tjera zoti Ribaj.
Sigurimi i pronës në Shqipëri ndaj fatkeqësive natyrore ka një kosto mesatare prej rreth 1 euro për metër katror në vit. E thënë ndryshe, për një banesë 100 metra katrorë, sigurimi vjetor nuk kushton më shumë se 100 euro dhe mbulon dëme nga 20 deri në 40 mijë euro, në varësi të shkallës së dëmtimit të banesës.




