Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rikthyer vëmendjen te Groenlanda, duke e përshkruar territorin si një çështje strategjike për sigurinë kombëtare.
I pyetur se sa para do t’i ofronte Danimarkës për ishullin, Trump tha se “nuk po flas për para akoma, por mund të flas për këtë”.
Në vend të kësaj, ai bëri një paralajmërim të fortë, raporton skynews.
“Tani për tani, ne do të bëjmë diçka për Groenlandën, qoftë edhe nëse ata nuk e duan, sepse nëse nuk e bëjmë ne, Rusia ose Kina do ta marrin Groenlandën, dhe ne nuk do të kemi Rusinë apo Kinën si fqinj. Unë do të doja të bëja një marrëveshje në mënyrë të lehtë. Por nëse nuk e bëjmë kështu, do ta bëjmë në mënyrë të vështirë”, tha 79-vjeçari.
Danimarka e ka bërë të qartë se Groenlanda nuk është për shitje dhe se do ta mbrojnë me çdo çmim.
Analistët e sigurisë e shohin interesin e SHBA-së në Grenlandë si një lëvizje strategjike kundër ndikimit rus dhe kinez në Arktik.




