Një zonjë nga Vlora, tregon, se bashkë me djalin e saj 10-vjeçar, ndjehen të përndjekur nga ish-shoferi i familjes, Vladimir Rushiti, 60 vjeç. Ai kishte punuar për rreth nëntë muaj pranë familjes, por pas largimit për shkak të moskorrektesës në punë, është kthyer në përndjekës, duke kërcënuar dhe frikësuar nënën e fëmijën. Zonja ka bërë denoncim, por nuk është marrë asnjë masë. Në këto kushte, iu drejtua emisionit “Stop”, që vuri në lëvizje institucionet përkatëse. Gazetarja kontaktoi Shërbimin Social të Bashkisë Vlorë dhe Shoqatën “Vatra”, të cilat ofruan mbështetje psikologjike dhe ligjore për nënën dhe fëmijën.Më pas gazetarja u interesua pranë OPGJ Maringlen Salaj, i cili deklaroi, se materialet i janë dërguar Prokurorisë, por nuk ishte përfshirë videoja e kërcënimit dhe as provat e përsëritura të ngacmimeve. Gazetarja iu drejtua Prokurorisë së Vlorës, ku prokurori i gatshëm, Erion Murataj, premtoi, se do të merrej personalisht me çështjen, duke vlerësuar provat e reja, në mënyrë, që të merren masa ndaj përndjekësit.
Një udhëtim me biletë të lirë, por që përfundon si në autobusin e Kinostudios. Pasagjerë, që ngjeshen dhe rrinë në këmbë, duket, se do të jetë eksperienca e linjave të lira ajrore.
Në vitin 2018, Ylli Osmënaj nga Fieri, tregon, se u përfshi në një aksident rrugor, ku gjatë drejtimit të automjetit të tij, përplasi një të moshuar. Pas hetimeve dhe procesit gjyqësor, ai u dënua me 4 vite shërbim prove, vendim, që mori formë të prerë në vitin 2021.Në të njëjtin vendim gjykate, ishte përcaktuar edhe kthimi i automjetit dhe dokumenteve përkatëse pas shlyerjes së dënimit. Megjithatë, edhe pse Osmënaj e ka përmbushur plotësisht detyrimin ligjor, mjeti nuk i është kthyer ende. Ylli, përmes avokatit të tij, i është drejtuar Prokurorisë Fier me një kërkesë zyrtare për kthimin e automjetit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Pas tij, edhe gazetari i “Stop” i dërgoi një shkresë zyrtare Prokurorisë, për të mësuar arsyet e vonesës dhe për të kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor.Në mënyrë të menjëhershme Ylli Osmënaj, u thirr dhe iu dorëzua makina, që kërkonte prej vitesh.




