Ndryshon mosha e daljes në pension për grate, rritet vjetërsia në punë për burrat

Teksa skema e pensioneve pritet të rishikohet, me nisjen e vitit 2026 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, si dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dyja gjinitë, sipas ndryshimeve që hynë në fuqi në janar të vitit 2015. Reforma e ndërmarrë 11 vite më parë parashikoi një rritje graduale të moshës dhe të vjetërsisë në punë, e cila lidhet drejtpërdrejt me masën e pensionit.

Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 62 vjeç për të përmbushur kriteret e daljes në pension. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056 për të dyja gjinitë.

Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se, nëse një burrë në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2026 duhet të ketë 39 vite. E njëjta logjikë vlen edhe për gratë, të cilave, paralelisht me moshën, u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë.

Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, pasi ajo është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, e barabartë me pensionin social, e cila shumëzohet me vitet e sigurimit që ka çdo person dhe pjesëtohet me vitet e vjetërsisë në punë.

Mosha e daljes në pension në vitin 2026

Burra: 65 vjeç

Gra: 62 vjeç

Vjetërsia në punë

Viti 2025: 38 vjet e 8 muaj

Viti 2026: 39 vjet

Të Fundit