Në ditët në vijim priten reshje shiu ne të gjithë vendin, ndësa në zonat e larta reshjet pritet të jenë në formë bore.
Autoritetet e Mbrojtjes Civile të qarkut Vlorë, nisur nga parashikimi i Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), sipas të cilit më datë 5 janar 2026 reshje të dendura pritet të përfshijnë edhe Qarkun e Vlorës kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe bizneset.
Përmes një njoftimi për mediat, bëhet me dije se për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake.
‘Në zonat malore të qarkut, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore. Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve dhe rritjes së prurjeve në lumenj, ekziston rreziku për:
• vërshime uji në zona urbane dhe rurale,
• probleme në sistemet e kanalizimeve,
• përmbytje të përkohshme në zona me risk.
Për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake për:
• Njoftimin e bizneseve që ndodhen në zona me risk për përmbytje;
• Njoftimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive në zona të sigurta;
• Informimin përmes mediave lokale për të shmangur qëndrimin në zona të rrezikuara dhe për të siguruar ushqimet dhe bagëtitë në lartësi të sigurta;
• Kontrollin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve në zonat urbane;
• Mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe funksionimin e pandërprerë të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;
• Sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.
Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të Qarkut Vlorë të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës’, thuhet në njoftimin e mbrojtjes civile në Vlorë.



