Tragjedia në Zvicër/ Shampanja, tavani i ulët dhe shkalla e ngushtë e kthyen diskotekën në kurth vdekjeje

CRANS-MONTANA – Një kombinim fatal faktorësh, nga përdorimi i “fontanelave” mbi shishet e shampanjës, te tavani i ulët e materiali i djegshëm, si dhe një shkallë e ngushtë si e vetmja dalje emergjence, e shndërroi diskotekën “Le Constellation” në një kurth vdekjeje. Zjarri që shkaktoi dhjetëra viktima dhe mbi njëqind të plagosur, sipas autoriteteve zvicerane, ka qenë aksidental, duke përjashtuar çdo pistë të qëllimshme.

Komandanti i Policisë Kantonale të Valais, Frédéric Gisler, theksoi se “ka pasur zjarr fillimisht dhe shpërthimi ka ardhur si pasojë e tij, jo e kundërta”. Ai vuri theksin edhe te një detaj kritik: një shkallë e ngushtë ishte e vetmja rrugëdalje nga bodrumi i lokalit, çka e vështirësoi jashtëzakonisht evakuimin. Prokurorja e Kantonit Valais, Béatrice Pilloud, njoftoi se aktualisht nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet po përqendrohen në përgjegjësi të mundshme nga pakujdesia.

Sipas dëshmive paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur nga një “fontanellë” (sparkler), një qiri i përdorur zakonisht në diskoteka mbi shishet e shampanjës për festa apo ditëlindje. Disa të mbijetuar kanë treguar se shishja mbahej lart, madje mbi shpatullat e një personi tjetër, duke e afruar fontanellën shumë pranë tavanit, i cili ishte i ulët. Shkëndijat mendohet se kanë bërë që tavani të marrë flakë, duke e kthyer festën në ferr brenda pak çastesh.

Autoritetet flasin për fenomenin e rrezikshëm të “flashover”-it: përhapje e papritur dhe shumë e dhunshme e zjarrit në ambiente të mbyllura, që mund të shoqërohet me një ose më shumë shpërthime. Kjo do të thotë kalim i menjëhershëm nga një vatër e lokalizuar zjarri në një incend të përgjithësuar.

Një element tjetër vendimtar ka qenë hyrja e oksigjenit. Në kaosin e momentit, disa persona duke tentuar të shpëtojnë, kanë thyer dritaret. Sipas ekspertëve të mbrojtjes nga zjarri, hapja e dritareve në një hapësirë të mbushur me flakë dhe tym ka rritur furnizimin me oksigjen, duke e intensifikuar zjarrin deri në dhjetë herë. “Nën 15% oksigjen, flaka shuhet dhe mbeten vetëm prush; por hapja e papritur e ambientit mund të shkaktojë një konflagracion të përgjithshëm”, shpjegojnë specialistët. Kjo shpjegon edhe deflagracionin që dëshmitarët e përshkruan si një “shpërthim”, duke ngjallur fillimisht dyshime për atentat, pistë që u përjashtua zyrtarisht.

Autoritetet do të analizojnë pamjet filmike, jo vetëm për të rindërtuar momentet e para të zjarrit, por edhe për të verifikuar nëse ekzistonte një praktikë e rrezikshme e përsëritur. Një video promocionale e mëparshme e lokalit tregon klientë që mbajnë shishe shampanje me fontanella shumë pranë tavanit. Këtë herë, një shkëndijë mjaftoi për të shkaktuar tragjedinë.

Zjarri në diskotekën “Le Constellation” në Crans-Montana shkaktoi dhjetëra viktima dhe mbi 100 të plagosur. Autoritetet zvicerane e kanë cilësuar ngjarjen si aksidentale, ndërsa hetimet po fokusohen te shkeljet e sigurisë dhe përgjegjësitë nga pakujdesia.

Të Fundit