Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me dhunë me 12-vjeçaren, gjykata jep masën e sigurisë për 67-vjeçarin

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 67-vjeçarin Rushan Selko, nga Pogradeci i cili akuzohet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me një vajzë 12-vjeçare.

Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë është zhvilluar këtë të premte, ku organi i akuzës ka paraqitur kërkesën për arrest me burg, e cila është pranuar nga gjykata.

Sipas Prokurorisë, ekzistojnë prova bindëse se i dyshuari e ka kryer veprën penale me forcë, ndërsa si pasojë e këtij akti, e mitura ka mbetur shtatzënë. Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se nga analizat mjekësore rezulton se vajza është mbi katër muajshe shtatzënë.

Gjatë seancës gjyqësore, 67-vjeçari nuk e ka pranuar akuzën, megjithatë trupi gjykues ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg. Avokati mbrojtës, jashtë kamerave, ka refuzuar të japë një deklaratë publike, duke e cilësuar çështjen si tepër delikate.

Ndërkohë, pritet edhe përgjigjja e analizave të ADN-së, të cilat janë dërguar për ekspertim në kryeqytet dhe sipas burimeve zyrtare, rezultatet pritet të mbërrijnë brenda rreth dy javësh.

Hetimet për këtë çështje vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës.

Të Fundit