Në këtë fillim-viti, ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Evis Sala, iu drejtua qytetarëve me një mesazh reflektues, duke theksuar rëndësinë e familjes dhe solidaritetit si bazë e një shoqërie të fortë.
“Familja është vendi ku fillon gjithçka: kujdesi, forca, dashuria dhe shpresa. Është themeli mbi të cilin qëndron shoqëria jonë”, shkruan ministrja Sala në mesazhin e saj, duke nënvizuar se një shoqëri e shëndetshme nuk mund të ndërtohet pa familje të forta dhe pa vëmendje për njëri-tjetrin.
Në urimin e saj, ministrja thekson gjithashtu punën dhe sakrificën e profesionistëve të shëndetësisë, që qëndrojnë pranë qytetarëve në momentet më të vështira.
“Dua ta nis me një falënderim të veçantë për ata që kujdesen për familjet tona edhe kur janë larg familjeve të tyre: mjekët, infermierët, stafet e urgjencës dhe profesionistët e qendrave rezidenciale. Ju jeni aty në momentet më të vështira, kur frika është e madhe dhe shpresa e brishtë. Falë jush, askush nuk ndihet vetëm!”, shkruan ajo, duke rikujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të personelit shëndetësor gjatë sfidave të vitit të kaluar.
Sala vlerëson gjithashtu progresin e bërë në sistemin shëndetësor gjatë vitit që lamë pas.
“Gjatë vitit që sapo lamë pas, kemi punuar si një ekip për të çuar përpara sfidat tona të përbashkëta në sistemin shëndetësor, ku në qendër është pacienti, për të cilin po punojmë për protokolle europiane, kushte dinjitoze trajtimi, që askush të mos detyrohet të kërkojë ndihmë larg vendbanimit të tij”, thekson ajo, duke theksuar angazhimin për një shërbim shëndetësor modern dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët.
Sipas Ministres, shëndeti nuk është thjesht një shërbim mjekësor, por një ndjenjë sigurie dhe dinjiteti brenda familjes dhe shoqërisë. “Shëndeti nuk është vetëm një shërbim. Është siguria që një prind ndien për fëmijën e tij. Është dinjiteti i një të moshuari. Është besimi se shteti është pranë grupeve të margjinalizuara me përgjegjësi”, shkruan ajo.
Ministrja përfundon urimin e saj me një mesazh të fuqishëm për solidaritet dhe bashkëpunim në familje dhe komunitet. “Sepse shëndeti nuk fillon në spital. Ai fillon në familje. Në kujdesin për njëri-tjetrin. Në solidaritet. Në bindjen se një shoqëri e fortë ndërtohet mbi familje të forta”.
Duke uruar të gjithë qytetarët shqiptarë, Evis Sala i uroi një vit të ri të shëndetshëm dhe të paqtë. “Me këtë besim, ju uroj një vit të ri të shëndetshëm dhe të paqtë në çdo familje shqiptare”.



