Dorëzohet “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, në 2026-ën vepra do të jetë online

Kryesia e Akademisë së Shkencave bëri dorëzimin e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”.

Ky fjalor shënon kurorëzimin e punës 5-vjeçare (2021-2025) dhe pasqyron mbi 125.000 njësi leksikografike (rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë, rreth 3.500 fjalë “të fshehura” në kuptime si emra, mbiemra a ndajfolje, rreth 12.500 njësi frazeologjike, rreth 5.000 togfjalësha terminologjikë, rreth 1.200 emërtime shkurtesore, rreth 250 terma të huazuar të paasimiluar grafikisht, rreth 1.650 shprehje të huaja të paasimiluara e rreth 250.000 kuptime leksikore me mbi 1.000.000 shembuj ilustrues për këto kuptime etj.).

“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” vjen si vepra leksikografike prej kohësh e munguar dhe mjaft e kërkuar.

Në ceremoninë e organizuar nga ASHSH, fjalori u dorëzua si maket i printuar në një kopje dhe u lidh në tre vëllime me nga 3300 faqe A4 secili. Kryesisë iu dorëzua dhe një kopje simbolike në variantin elektronik (CD).

Kryetari i Akademisë, akad. Skënder Gjinushi, vlerësoi punën e bërë nga gjithë grupi realizues i projektit: nga bashkëpunëtorët, nga hartuesit, nga redaktorët, nga kryesia e redaksisë, nga korrektorët, si dhe nga forcat ndihmëse.

Realizimi i projektit dhe puna e bërë u vlerësua dhe nga nënkryetari i Akademisë, akad. Vasil Tole, nga kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe albanologjike, akademik Gëzim Hoxha dhe nga akademikë të tjerë të pranishëm.

Në fillim të vitit 2026, vepra do të hidhet në sistemin on-line dhe do të jetë e hapur për përmirësime, për njësime, për shtime e rishikime që do të bëhen nga një grup leksikografësh pranë Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike.

Të Fundit