Ndërtime pa leje në Parkun e Butrintit, dërgohen për gjykim 5 zyrtarë në Sarandë

Prokuroria e Sarandës ka dërguar në gjyq pesë shtetas, mes tyre kryeinspektorin dhe inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) të Bashkisë Sarandë. Sipas prokurorisë, ata lejuan ndërtimet në zonat e mbrojtura të Parkut të Butrintit dhe akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.

Sipas Prokurorisë, hetimet e kanë zbuluar se në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, janë kryer ndërtime pa leje ndërtimi, në një sipërfaqe të konsiderueshme, pa miratim nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Kanali i Vivarit është pjesë e Parku Kombëtar Butrint, zonë e mbrojtur me status “Monument Natyre”.

Nga hetimet rezulton se punonjësit e IVMT-së nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe nuk kanë marrë masat administrative përkatëse, përfshirë vendosjen e gjobave, duke lejuar vijimin e ndërtimeve të paligjshme në zonë të mbrojtur.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka dërguar në gjyq:

R. P., për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”;

Personin juridik “Laguna Invest”, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”;

E. Z., B. K. dhe V. X., me detyrë inspektorë të IVMT Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”;

A. M., me detyrë kryeinspektor i IVMT Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Sarandës.

Të Fundit