Kosovë: Vetëvendosja dënohet me 6 mijë euro, shfrytëzoi institucionet publike për promovim elektoral

VV-ja dënohet me 6 mijë euro, shfrytëzoi institucionet publike për promovim elektoral

Lëvizja Vetëvendosje është dënuar me gjashtë mijë euro pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar se kandidatë të saj për deputetë kanë shfrytëzuar institucionet publike për promovim elektoral gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Vendimi i PZAP-së u mor bazuar në ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në vendim është konstatuar se Arbërie Nagavci, Hysen Durmishi, Arben Vitia, Albulena Haxhiu dhe Hajrulla Çeku kanë shfrytëzuar institucionet publike për fushatë.

“…znj.Nagavci ka përdorur zyrën e saj si ministre në detyrë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Durmishi ka përdorur pasuri publike, konkretisht urën në Mitrovicë, ndërsa z. Vitia, znj. Haxhiu dhe z. Çeko kanë përdorur Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si dhe në faqen zyrtare të këtij subjekti janë promovuar aktivitete në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në vendim të PZAP-së.

Sipas vendimit, me këto veprime është shkelur Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

VV-ja ka afat 15 ditë për ta paguar gjobën nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit, ndaj të cilit kjo parti ka të drejtë të ankohet brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit.

Të Fundit