Kryepeshkop Joani, këtë të enjte nga nga katedralja “Ngjallja e Krishtit” ka bëri predikimin në kuadër të festës së Krishtlindjes. Ai theksoi se Biri i Perëndisë u bë njeri që ne të bëhemi perëndi.
Nga ana tjetër, ai u shpreh se tani më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit dhe se është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta ndajë këtë lajm me të gjithë botën. Por lajmërimi i lindjes së Krishtit sipas tij nuk u bë në të njëjtën mënyrë për të gjithë. Ai theksoi se, ngjarja u ofrua të gjithëve, por u dha fryt vetëm atyre që kishin dëshirën dhe vullnetin e mirë.
“Kjo festë e madhe nuk na kujton se kemi të bëjmë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi. Perëndia e përjetshme ndërhyn në histori dhe bëhet njeri për të na sjellë në shenjtërinë e tij, për të na bërë pjesë të hyjnores, për të shëruar dhe ringritur lirinë tonë të rënë dhe të deformuar.
Krishti, Perëndi-njeri, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë. Krishtlindja na fton të marrim pjesë në thirrjen e engjëjve për t’na lavdëruar dhe ne me ta. Por lajmërimi i lindjes së Krishtit nuk u bë në të njëjtën mënyrë për të gjithë. Për sundimtarët dinakë, lajmi nuk u solli gëzim, por frikë, errësirë dhe refuzim, dhe deshën ta vrisnin foshnjën e porsalindur. Ngjarja u ofrohet të gjithëve, por u jep fryt vetëm atyre që kanë dëshirë dhe vullnet të mirë. Të gjithë ata që e pranuan, u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, shkruan Joani Ungjillori.
Të dashur vëllezër dhe motra, duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe ta shprehim me zell dhe pa u lodhur se Perëndia është ndër ne. Një dëshmitar i vërtetë shpëton jetë, thotë Solomoni i ditur. Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta ndajë këtë lajm me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, ndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket.
Tani më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në jetë pa dashuri, pa dritë, një jetë në errësirë.
Vetëm prania e tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Është një llambë, drita jonë në këtë jetë”, u shpreh Joani.



