Një rast i rëndë social mbërriti në redaksinë e “STOP”, ku Genti Pepkola, invalid nga një fshat i Selitës në Mirditë, dërgoi një mesazh alarmues, duke kërkuar ndihmë urgjente. Dy bashkëfshatarë, Lazer dhe Tomë Pepkola, kishin bllokuar rrugën, duke e bërë të pamundur qarkullimin. Si pasojë, Genti transportohej me shumë vështirësi, i mbajtur në krahë nga babai i tij 73-vjeçar ose vëllai. Ky i fundit tregon sakrificën e përditshme të familjes, duke përshkuar fillimisht rrugën me makinë dhe më pas me mushkë deri në banesë.
Per rastin e invalidit gazetarja komunikoi me kryetarin e Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, i cili deklaroi, se nuk kishte informacion për rastin, por u angazhua të marrë masa.Me pas gazetarja bisedoi në terren me dy personat, që kishin bllokuar rrugën. Lazër Pepkola sugjeroi kalimin nga një rrugë këmbësore, e quajtur “rruga e Bajrakut”, ndërsa Tomë Pepkola pranoi ta lirojë rrugën. Pas ndërhyrjes së emisionit dhe angazhimit të Bashkisë, palët dhanë premtime për zgjidhje përfundimtare.



