Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një video për të cilën thotë se janë pamje nga e ashtuquajtura “kantinë VIP” e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK, i akuzuar për rrëmbimin e një biznesmeni me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga tenderat e AKSHI-t.
– Advertisement –
“Kjo është vinoteka prej 4 milionë euro në vilën e Gys Agasit që u vodh”, shkruan Berisha.
Ndërkohë, nga burime bëhet me dije se vera është zhdukur në mënyrë të dyshimtë dy netë më parë.
Për zhdukjen e saj dyshohet kushëriri i Ergys Agasit, i cili është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “Kontrabandë e mallrave që i nënshtrohen akcizës” dhe “Magazinim i paligjshëm i tyre”.
Sipas raportimeve, dyshohet se e gjithë sasia e verës ishte kontrabandë dhe pa pulla fiskale.
Burime bëjnë me dije se në kantinë ndodheshin rreth 1 200 shishe verë luksoze, mes të cilave marka shumë të shtrenjta si “Romanée-Conti”, me vlerë rreth 30 mijë euro për shishe, “Petrus” me 5 mijë euro, “Pavie” me 4 mijë euro, si edhe verëra të tjera me çmime nga 400–500 euro, si “Ornellaia”, “Gaja”, “Sassicaia”, “Opus One” etj.
Pas hartimit të procesverbalit nga oficerët e BKH-së, nën mbikëqyrjen e SPAK, u njoftuan strukturat përkatëse të doganës, antikontrabandës dhe hetimit doganor për sekuestrimin e verës. Megjithatë, gjatë natës, vera u zhduk dhe asnjë shishe nuk u sekuestrua.



